Dashuria është ndjenjë në zemër, me të cilën njeriu nuk mund të udhëheqë. Nganjëherë njeriu dashuron, ose urren pa dëshirën e vet. Nganjëherë ai e dashuron një njeri ose e urren atë pa ndonjë shkas të qartë, andaj ai që dashuron nuk është në gjendje të lirohet nga ajo dashuri, apo ai që urren nuk mund të lirohet nga urrejtja. Burim i dashurisë së mashkullit ndaj femrës, ose femrës ndaj mashkullit, është simpatia e natyrshme, të cilën All-llahu i Madhëruar e krijoi te njeriu dhe e mbolli në të. Lavdiploti ka thënë: "Njerëzve u duket e bukur vetëm ajo çka u ka ëndja: gratë, djemtë, grumbujt me ar e argjend, kuajt e bukur, bagëtia dhe të korrat. Këto janë të mira në jetën e kësaj bote, kurse kthimi më i mirë është tek All-llahu" (Kur'ani: Ali Imran: 14). Kush mendon lidhur me këtë ajet do të vërejë se pasioni për femra është përmendur para pasioneve (epsheve) të tjera jetësore, e që dëshmon për madhësinë e kësaj te njeriu, si dhe për atë se ajo luan rol të madh në jetën e tij. I Dërguari, s.a.v.s., krahas madhështisë së vet, ka thënë qartë se All-llahu i Madhëruar nga gjërat e kësaj bote m'i ka bërë të pëlqyera parfumet dhe gratë. Ai, s.a.v.s, ka thënë: "Më janë bërë të pëlqyera nga kjo botë gratë dhe aromat (parfumet), kurse kënaqësia (qetësia) ime është në namaz". (Hadithin nga Enesi, r.a., e transmetuan Ahmedi, Nesaiu, Hakimi dhe Bejhekiu.) Prandaj, i Dërguari, s.a.v.s., për gratë ka thënë se janë sprova më e madhe së cilës do t'i ekspozohen meshkujt. I Dërguari, s.a.v.s., ka thënë: "Nuk kam lënë pas vetes, në mesin e njerëzve, sprovë më të madhe për meshkujt se femrat". (Hadithin e shënuan Ahmedi dhe Taberaniu nga Usame ibn Zejdi). Prandaj, islami e ka ndaluar përzierjen e meshkujve me femra, ndërkaq ka urdhëruar që femra të mbulohet para meshkujve; ia ka ndaluar mashkullit të qëndrojë vetëm me femrën, e cila nuk është farefis i afërm, kurse femrës ia ka ndaluar të udhëtojë vetëm, pa burrin, ose dikë nga farefisi i afërt (mahrem). Shembull më i mirë se dashuria dhe urrejtja janë ndjenja, të cilat njeriu nuk mund t'i kontrollojë, është ngjarja ndërmjet Mugisit dhe Berirës (r.a.). Mugisi e donte shumë Berirën, madje edhe në rrugë, në prezencë të gjithëve, shkonte pas saj duke e lutur atë, duke i shprehur dashuri, ndërsa nëpër faqet e tij rridhnin lot. Berira, megjithatë, e urrente Mugisin aq shumë sa nuk e pranoi as ndërhyrjen e të Dërguarit të All-llahut, s.a.v.s., për të. Tregimi për Mugisin dhe Berirën hyn në rrëfimet më të bukura dhe më të çuditshme që citohen në librat e haditheve. Ai nuk është fryt i imagjinatës së shkrimtarëve, ose të tregimtarëve, por rrëfim i vërtetë për një dashuri të sinqertë që e shënojnë përmbledhjet më autentike të hadithit. Hero i kësaj ngjarje është një robëreshë, bashkëshortja e Mugisit. Atë e kishte blerë nëna e besimtarëve, Aisheja, r.a., pastaj e kishte liruar. Kur Berira u lirua, zgjodhi prishjen e martesës dhe largimin nga Mugisi, kurse kjo me Sheriat është e garantuar për çdo robëreshë të martuar, e cila, kur të lirohet (kurse burri i mbetet rob), ka të drejtë të zgjedhë ndërmjet prishjes të martesës, ose qëndrimit në të. Kur Berira fitoi lirinë, menjëherë zgjodhi prishjen e martesës me Mugisin, i cili e dashuronte shumë dhe ishte tepër i lidhur me të, sa që i Dërguari i All-llahut s.a.v.s., i kishte thënë xhaxhait të tij Abasit, r.a.: "O Abas, a nuk të çuditesh me dashurinë e Mugisit ndaj Berirës dhe me urrejtjen e Berirës ndaj Mugisit?" I Dërguari, s.a.v.s., i kishte thënë asaj: Sikur t'i ktheheshe atij. O i Dërguar i Allahut, a po më urdhëron? Jo, unë vetëm po ndërmjetësoj. Ai nuk më nevojitet, ia kishte kthyer ajo. Ibn Abasi, transmetuesi i hadithit, thotë: "Burri i Berirës ishte rob, quhej Mugis, sikur e shoh tani se si shkon pas saj duke qarë, kurse lotët i rrjedhin nëpër mjekër." (Hadithin e shënuan Nesaiu, Ebu Davudi dhe Buhariu, kurse versioni është i Buhariut.) Ndonëse njeriu nuk mund t'i kontrollojë dashurinë dhe urrejtjen, ai megjithatë mund t'i udhëheqë (kontrollojë) mjetet të cilat çojnë në dashuri, e të cilat mund të jenë shkas për paraqitjen e dashurisë dhe shtimin e saj; ndër to më me rëndësi janë dy gjëra: shikimi dhe të dëgjuarit (dëgjimi). Syri dhe veshi janë rruga më e mirë për depërtimin e dashurisë në zemër. All-llahu i Madhërishëm, kur flet për mirësitë që ia ka dhuruar njeriut, në Librin e Urtë të Tij, shpesh i përmend bashkë me zemrën. Shembull për këtë janë fjalët e Lavdiplotit: "Thuaj: "Është Ai që krijon gjithçka dhe ju dhuroi të dëgjuarit, të parët dhe mendjen (zemrën), kurse ju jeni pak mirënjohës" (Kur'ani, Mulk: 23). Në Librin e Urtë, gjithashtu, kemi ajete të cilat e urdhërojnë njeriun që t'i shfrytëzojë mirë këto organe të veta, si në fjalët e Lavdiplotit: "Mos iu qas asaj të cilën nuk e njeh! Të dëgjuarit, të parët dhe mendja (zemra), për të gjitha këto do të përgjigjeni" (Kur'ani, Isra: 36). Dashuria reciproke e bashkëshortëve është gjë e natyrshme, e zakonshme dhe me Sheriat e nevojshme. Secili prej tyre është i detyruar të përpiqet që ta shtojë dhe ta forcojë këtë dashuri. Prandaj, kur gruaja të dalë para burrit të vet, duhet të përpiqet që pamja e saj ta gëzojë dhe shtojë dashurinë e tij ndaj saj. Gjithashtu duhet pasur kujdes që burri i saj të mos dëgjojë nga ajo diç që mund ta largojë nga ajo dhe të pakësojë dashurinë e tij ndaj saj. Burri, gjithashtu, para gruas duhet të dalë në gjendje të bukur dhe të hijshme, që i përgjigjet burrnisë së tij, ashtu që të jetë tërheqës për gruan e vet, që ajo ta dashurojë edhe më shumë dhe të lidhet për të. Edhe ai, po ashtu, duhet të kujdeset të mos i thotë gruas diç që do ta shkaktonte neverinë e saj ndaj tij, ose do ta pakësonte dashurinë e saj ndaj tij. Të gjitha këto gjëra janë të njohura dhe të pranuara përgjithësisht, por ajo që duhet ta sqarojmë është qëndrimi i islamit ndaj dashurisë para martesës. Gjatë bisedës lidhur me këtë temë duhet t'i sqarojmë disa rregulla të përgjithshme të Sheriatit, të cilat do të na zbulojnë qëndrimin e islamit lidhur me këtë çështje. Njëra prej këtyre rregullave është se njeriu nuk është përgjegjës për idetë (mendimet) e veta dhe atë që i vjen në mendime. Atë, të cilit i shkrep ideja ta kryejë ndonjë ligësi, por nuk e kryen, All-llahu nuk do ta ndëshkojë për atë mendim. Nëse dikush nuk e kryen për shkak të frikës nga All-llahu i Madhërishëm, Ai do ta shpërblejë, sepse e ka braktisur atë dhe e ka lënë për hir të Tij. I Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., thotë:"Me të vërtetë All-llahu i Madhërishëm ua ka falur pjesëtarëve të umetit tim ato për çka i nxisin shpirtrat e tyre (d.m.th. mendimet), nëse nuk i kryejnë ato, apo nuk i flasin". Gjithashtu, në një hadith, duke transmetuar nga All-llahu i tij i Madhërishëm, ai thotë: "Me të vërtetë, All-llahu i ka caktuar veprat e mira dhe veprat e këqija, pastaj këtë e ka shpjeguar; ndërsa kush vendos ta kryejë një vepër të mirë, pastaj nuk e kryen, All-llahu këtë vepër ia shënon të plotë, sikur ta kishte kryer. Por nëse vendos ta kryejë një vepër të mirë, dhe e kryen, All-llahu ia shënon prej dhjetë deri shtatëqind herë, madje edhe më shumë. E nëse dikush vendos ta kryejë një vepër të keqe, dhe nuk e kryen, All-llahu ia shënon një vepër të mirë, e nëse vendos ta kryejë një vepër të keqe, dhe e kryen, All-llahu ia shënon vetëm një vepër të keqe". (Të dyja hadithet i shënon Muslimi) Kush dashurohet në një vajzë në bazë të shikimit ose zërit që e dëgjon, All-llahu nuk do ta dënojë për këtë, gjithnjë derisa kjo kufizohet vetëm në ndjenjën (e zemrës), të cilën njeriu nuk mund ta kontrollojë. Mirëpo, nëse kjo dashuri e shtyn ta shikojë apo ta dëgjojë sërish, atëherë kjo hyn në rrethin e përgjegjësisë së Sheriatit. Me këtë synim të tij ai i kalon kufijtë e së lejuarës dhe i afrohet ndalimit sheriatik, përveç nëse e shikon për shkak të fejesës dhe martesës me të. Në këtë rast veprimi i tij hyn në suaza të lejimit për të fejuarin dhe shikimin e tij të së fejuarës. Këtu duhet të theksojmë që të fejuarit i lejohet shikimi vetëm gjersa është i fejuar, por nëse ai i ofron fejesë dhe refuzohet, atëherë shikimi nuk i lejohet. Islami i nxit prindërit dhe kujdestarët, në këto situata, ta martojnë vajzën për atë mashkull të cilin ajo e do, nëse ai ka moral të mirë dhe është i devotshëm. Vlen të përmendet hadithin, i cili bën fjalë për martesën e sahabes El-Hansa bint Hidami, ku thuhet se i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., e kishte urdhëruar babanë e saj që ta martojë me mashkullin të cilin ajo e donte. Nëse ai që është dashuruar nuk mund të martohet me femrën të cilën e dashuron, atëherë ai duhet të përpiqet që këtë dashuri ta largojë nga zemra dhe vetvetja. S'ka dyshim se shkaqet materiale kanë ndikim të madh në ndjenja. Prandaj, lënia dhe largimi nga gjithçka që ia kujton atë, pas një kohe, ndikon ashtu që njeriu ta harrojë dhe të qetësohet, posaçërisht nëse është nga ata që e kanë frikë All-llahun dhe frikohen prej Tij dhe që më shumë e duan kënaqësinë e Tij sesa pasionet e veta. Me të vërtetë kjo është ndihma më e madhe që mund të jepet për zgjidhjen e këtij problemi.
amir
Monday, October 12, 2009
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment