amir

amir

Monday, October 12, 2009

Lufta e pare Ballkane dhe Shqiperia

Lufta e Parë Ballkanike, përderisa drejtohej kundër Turqisë dhe kishte për qëllim bashkimin kombëtar të popujve ballkanikë, objektivisht kryente një funksion përparimtar. Por ajo u drejtua nga qarqet shoviniste të vendeve të Ballkanit dhe u kthye në një luftë grabitqare, pushtuese, sidomos ndaj Shqipërisë e Maqedonisë.Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Përfaqësuesit e tyre bënë përpjekje për t’u lidhur me fqinjët në luftën e përbashkët kundërosmane, por këto përpjekje dështuan për faj të krerëve të Aleancës Ballkanike, të cilët nuk dëshironin t’i kishin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë, sepse ishin marrë vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë. Prandaj, shqiptarët nuk hynë në një aleancë, krerët e së cilës synonin t’i përdornin ata si mish për top në luftën kundër Perandorisë Osmane. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë aleancë, pa u njohur zyrtarisht të drejtat e tyre, do të ishte një vetëvrasje.Planet aneksioniste të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë kundrejt Shqipërisë, plane që filluan të viheshin në jetë me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, ishin pjellë e një politike të pajustifikueshme armiqësore ndaj një populli fqinj, që kishte bërë një luftë të vazhdueshme kundër sundimit shekullor osman dhe kishte treguar se ishte një aleat i sigurt në luftën kundër armikut të përbashkët. Shtetet ballkanike jo vetëm dërgonin ushtarët e tyre të vriteshin me shqiptarët, që ishin të vendosur të mbronin deri në fund lirinë e tërësinë e tokës së tyre, por edhe u jepnin Fuqive të Mëdha një armë të fortë në dorë për të ndërhyrë në punët e Ballkanit, që të vinin në orbitën e tyre si popullin shqiptar, ashtu edhe popujt fqinjë. Për këtë arsye, Lufta Ballkanike krijoi në Shqipëri një gjendje shumë të ndërlikuar e kontradiktore. Nga njëra anë, në masat popullore vazhdonte të ishte gjallë fryma e luftës kundër zgjedhës osmane, nga ana tjetër, po bëhej gjithnjë më i qartë rreziku që kërcënonte Shqipërinë nga fqinjët ballkanikë, të cilët pas dëbimit të turqve nga gadishulli synonin të zinin vendin e Perandorisë Osmane në të dhe të fshinin kombin shqiptar nga harta politike e Ballkanit.Ndryshe nga vendet e tjera ballkanike, Shqipëria edhe kësaj radhe, në këto çaste tepër kritike, u ndodh vetëm, me armikun e vjetër në vatër dhe e sulmuar nga agresorë të rinj. Ky rrezik kombëtar vuri në lëvizje të gjitha klasat e shtresat shoqërore të vendit. Përpara tyre u ngrit në mënyrë më serioze çështja e fatit të Shqipërisë, e qëndrimit që duhej mbajtur ndaj konfliktit ballkanik, e mënyrave dhe e mjeteve për ta shpëtuar Shqipërinë nga katastrofa që kërcënonte Turqinë.Qysh në fillim të tetorit gazeta “Liri e Shqipërisë”, që përfaqësonte opinionin e kolonisë shqiptare të Sofjes, duke parashikuar ngjarjet, u drejtohej shqiptarëve me thirrjen: “... të marrim armët dhe të mbrojmë kufijtë e mëmëdheut tonë, duke kërkuar autonominë e Shqipërisë”. Po kjo gazetë u drejtohej shqiptarëve t’u përmbaheshin udhëzimeve të Sami Frashërit në veprën “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, d.m.th. t’i jepnin një goditje të fortë Turqisë për të mos u rrokullisur me të në greminë.Ndryshe e vlerësuan gjendjen kolonitë shqiptare të mërgimit në ShBA. Ato u nisën nga fakti se Turqia, megjithëse ishte armike e Shqipërisë, u kishte njohur shqiptarëve disa të drejta kombëtare, kurse pjesëtarët e Aleancës Ballkanike synonin ta copëtonin atë krejtësisht. Prandaj mbledhja e përfaqësuesve të kolonive shqiptare të ShBA-së, që u bë më 6 tetor 1912 në Boston, duke “... marrë në sy atë që po mundet Turqia, e që shtetet e Ballkanit do ta ndajnë Shqipërinë në mes tyre”, deklaronte: “Është detyrë e atdhetarëve shqiptarë të jenë plotësisht të bashkuar me guvernën (qeverinë - shën. i aut.) otomane kundër armiqve të Mbretërisë”. Ndonëse frymëzohej nga qëllime patriotike, qëndrimi i kolonive shqiptare të ShBA-së përmbante në vetvete një rrezik të madh për vendin. Përkrahja pa kushte që shqiptarët do t’i jepnin Turqisë në luftën kundër Aleancës Ballkanike do të sillte si pasojë që Shqipëria të pësonte të njëjtin fat që do të pësonte Turqia në Ballkan dhe do t’u jepte një argument të fortë qeverive të Aleancës Ballkanike për të mbrojtur përpara opinionit publik ndërkombëtar planin e copëtimit të Shqipërisë si një provincë e thjeshtë turke.Brenda në Shqipëri nismën për një veprim politik, që ta nxirrte vendin nga gjendja e vështirë dhe e ndërlikuar e krijuar nga Lufta Ballkanike, e morën shoqëritë atdhetare, Komiteti “Shpëtimi” dhe “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” që ishte krijuar në Shkup. Përfaqësuesit e tyre Sali Gjuka, Nexhip Draga, Bedri Pejani, Mithat Frashëri etj., organizuan në Shkup më 14 tetor 1912 një mbledhje, për të cilën ishte marrë qysh përpara edhe miratimi i Hasan Prishtinës e i Bajram Currit, që kishin shkuar në front për organizimin e mbrojtjes së tokave shqiptare.Mbledhja e Shkupit arriti në përfundimin se Perandoria Osmane do ta humbiste luftën dhe vendosi t’u njoftonte Fuqive të Mëdha se populli shqiptar po i kapte armët jo për të forcuar sundimin e Turqisë në Ballkan, por për t’i dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së Shqipërisë. Pra, vijonte deklarata, shqiptarët nuk do të pranonin për katër vilajetet veçse një formë të vetme qeverisjeje. Ky vendim përputhej me atë që ishte shprehur nga gazeta “Liri e Shqipërisë” dhe ishte vendimi më i drejtë e më realist që mund të merrej në këto rrethana. Ai iu dorëzua përfaqësuesve të fuqive të huaja në Shkup më 16 tetor.Mbledhja e Shkupit caktoi edhe një delegacion, i cili do të shkonte në Malësi të Madhe për t’i shkëputur malësorët nga bashkëpunimi me Malin e Zi. Ky delegacion u autorizua gjithashtu të merrej vesh me krahinat e tjera të vendit për organizimin e një kuvendi kombëtar që do të vendoste për fatin e atdheut. Por ai nuk mundi të arrinte në Malësi të Madhe; ngjarjet në frontin e luftës ishin zhvilluar me një shpejtësi të tillë, që e detyruan të ndalej përkohësisht në Pejë e në Gjakovë, ku mori autorizimin nga popullsia për ta përfaqësuar atë në veprimtaritë që po ndërmerreshin kundër copëtimit të vendit. Prej këtej delegacioni i Kosovës u drejtua në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, ku ishin marrë nisma nga rrethet atdhetare lokale për organizimin e kuvendit kombëtar dhe kishte filluar zgjedhja e delegatëve.Ushtritë e aleatëve ballkanikë brenda një kohe të shkurtër e shpartalluan ushtrinë turke në të gjitha frontet. Trupat bullgare, pasi thyen qëndresën e forcave turke, të përqendruara në Trakën Lindore, iu drejtuan Adrianopojës. Forcat e Malit të Zi, të ndara në tri kolona, sulmuan dy në drejtim të Shkodrës dhe njëra në drejtim të Pejës. Brenda tri javësh ato pushtuan Pejën dhe iu drejtuan Shkodrës.Mbreti Nikolla i Malit të Zi, ndërsa u premtonte malësorëve se do të respektonte flamurin shqiptar, në thirrjen drejtuar popullit malazez e ftonte këtë t’u jepte dorën “vëllezërve nën zgjedhë të Malësisë, të cilët prej më shumë se dy vjetësh luftonin për të drejtat e lirinë e tyre dhe për bashkimin me Malin e Zi”. Kur doli në shesh mashtrimi i mbretit malazez dhe kur në tokat shqiptare të pushtuara, në vend të flamurit kombëtar u ngrit ai i Malit të Zi, malësorët, që kishin marrë pjesë aktive në këtë luftë krahas ushtrive malazeze, u tërhoqën në masë nga lufta.Edhe mbreti serb Pjetër, në manifestin që shpalli në fillim të fushatës ushtarake serbe, deklaronte në mënyrë demagogjike se do t’u sillte edhe shqiptarëve lirinë, vëllazërinë dhe barazinë. Më 15 tetor filloi mësymja e trupave serbe në rajonin e Vranjës, ndërsa më 18 tetor u hodh në sulm gjithë ushtria prej 286 000 vetash, në drejtimin Nish-Manastir-Elbasan, Nish-Manastir-Selanik dhe Kurshunli-Prizren-Durrës. Forca të tjera sulmuan nga veriu, në drejtimin Rashkë-Mitrovicë-Pejë dhe Javor-Priepolje.Turqia u gjend e papërgatitur për luftë. Qeveria turke vendosi të formonte repartet e armatosura vullnetare shqiptare, që do të pajiseshin me armë nga depot e shtetit. Doli edhe një urdhër i ministrit të Luftës për t’u dërguar shqiptarëve 50 000 pushkë. Megjithatë nuk u dërgua asgjë, shqiptarët u lanë pa armë, në mëshirën e fatit. Qeveria xhonturke nuk qe në gjendje të përfitonte nga forca e madhe e shqiptarëve dhe nga gatishmëria për të mbrojtur atdheun e vet.Shqiptarët e Kosovës, veçanërisht ata të Llapit dhe të krahinave përreth, u qëndruan me vendosmëri në luftimet e Merdarit (14-18 tetor), në veri të Podujevës, forcave të Armatës së parë dhe të tretë serbe. Ushtria turke një ditë para betejës braktisi frontin në disa pika. Luftimet në Merdar ishin të ashpra. Serbët e morën atë pas humbjeve të mëdha. Edhe mbrojtja e kufirit nga Rashka në Podujevë u mbeti vullnetarëve shqiptarë, të udhëhequr nga Isa Boletini. Me organizimin e mbrojtjes në veri të Prishtinës u mor Hasan Prishtina, ndërsa në Gjakovë, Plavë e Guci Bajram Curri.Pasi morën Merdarin, forcat serbe të Armatës së parë depërtuan në Podujevë dhe, së bashku me ushtritë e Armatës së tretë, më 20 tetor filluan sulmin mbi Prishtinën. Vullnetarët shqiptarë luftuan me vendosmëri, por për mungesë të municionit u tërhoqën nga qyteti, që ra po atë ditë në duart e serbëve. Më 23 tetor u pushtua Vuçiterna dhe pas saj Mitrovica.Me organizimin e forcave vullnetare shqiptare në zonën e Gjilanit, të Moravës e të Karadakut u mor Idriz Seferi, që arriti të grumbullojë 6 000 luftëtarë, të cilët u hodhën në kufirin me Serbinë, ku së bashku me forcat e vendit u bënë ballë njësive të Armatës së tretë serbe. Luftimet në këtë trevë juglindore të Kosovës vazhduan 7 ditë, duke filluar nga koha e sulmit të ushtrisë serbe më 15 tetor. Pasi theu qëndresën e shqiptarëve në kufirin juglindor të Kosovës, ushtria serbe mundi të pushtonte më 24 tetor qytetin e Gjilanit. Më 23 tetor serbët pushtuan Vuçiternën dhe pas saj Mitrovicën. Pas pushtimit të Prishtinës ushtria serbe filloi veprime të tjera në përmasa të mëdha, të cilat kishin si objektiv të parë pushtimin e Ferizajt, të Kumanovës e të Shkupit, për të vijuar më tej marshimin drejt jugut dhe drejt pjesës perëndimore të Shqipërisë. Natën e 23-24 korrikut Armata e tretë serbe filloi një marshim drejt Shkupit e Kumanovës. Më 24 tetor pushtoi Lipjanin dhe po në këtë ditë iu afrua Ferizajt. Edhe mbrojtja e tij u mbeti rreth 10 000 vullnetarëve shqiptarë. Në mesditën e 25 tetorit ushtria serbe filloi sulmin e përgjithshëm mbi qytetin, të cilin e pushtoi në mbrëmjen e 25 tetorit. Forcat shqiptare u tërhoqën drejt Kaçanikut. Por luftimet më të mëdha u bënë në Grykën e Carralevës. Pas dy ditë lufte me 2 000-3 000 vullnetarë shqiptarë, forcat serbe, pasi lanë këtu shumë ushtarë të vrarë e të plagosur, më 26 tetor e pushtuan këtë grykë. Më 30 tetor u pushtua Prizreni.Beteja më e madhe e trevës së Kosovës ishte ajo e Kumanovës (22-24 tetor), ku serbët hodhën ushtrinë e Armatës së parë, të përbërë nga 126 000 veta. Armata turke e Vardarit kishte vendosur në këtë front 50 000 luftëtarë. Midis tyre kishte edhe disa mijëra ushtarë shqiptarë, përveç forcave vullnetare të ardhura nga treva e Kumanovës e rrethet e tjera. Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës. Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës në këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri të madhe për të mbrojtur atdheun e vet, tokën amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta. Pas pushtimit të Shkupit, ushtria serbe vazhdoi mësymjen drejt pjesës perëndimore të vilajetit të Kosovës (drejt Prizrenit, Pejës, Gjakovës etj.), drejt vilajeteve të Manastirit (pushtuan Manastirin), të Shkodrës e të Janinës. Ata kaluan nëpër luginën e Drinit, pushtuan Lumën, Mirditën e Matin, dolën në Lezhë dhe u dyndën në Shqipërinë e Mesme. Një pjesë e tyre iu drejtua Durrësit, kurse kolona të tjera u nisën drejt veriut dhe, së bashku me forcat malazeze që kishin marrë Shëngjinin, plotësuan rrethimin e Shkodrës.Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane, edhe pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar të aleatëve ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej dhjetëra vjetësh dhe të armatosur deri në dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912 ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në jug deri në luginën e Shkumbinit, në vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë. Ndërkohë edhe ushtria greke, pasi theu forcat turke në Thesali e në Epir, mori Selanikun, rrethoi Janinën, shtiu në dorë Sazanin dhe zbarkoi në Himarë, të cilën e pushtoi bashkë me disa fshatra përreth.Menjëherë pas sukseseve të para qeveritarët e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë, si edhe shtypi i tyre, filluan t’i deklaronin gjithnjë më hapur qëllimet e veta ndaj Shqipërisë, duke i justifikuar ato me argumentet absurde të paaftësisë së “fiseve të egra” e “barbare” shqiptare për të formuar shtetin e vet.Këto deklarata u shoqëruan me një veprimtari gjakatare, terroriste, shfarosëse të ushtrive malazeze e serbe dhe më vonë greke kundër popullsisë shqiptare, që nuk mëshiruan as gratë, as fëmijët e as pleqtë. Pushtimi i Kosovës e i viseve të tjera të Shqipërisë u shoqërua me vrasje në masë të luftëtarëve kosovarë dhe me masakrimin e me shpërnguljen e popullsisë. Qëllimi i Beogradit ishte që “Serbia të bëhej shtet i pastër, thjesht serb, nacional”. Proklamatave të mbretit të Serbisë, për barazinë e shqiptarëve me serbët në shtetin e Serbisë, ua zunë vendin pas fillimit të luftës urdhrat për shfarosjen e shqiptarëve. Gjeneralët serbë pranonin haptazi atëherë se “ne i linim të qetë turqit, por vramë sa mundëm ç'qenë shqiptarë”. Deviza e ushtrisë serbe ishte: “Të shfarosim shqiptarët!”.Kudo që shkelën, në fshatrat e qytetet e Kosovës dhe të të gjithë Shqipërisë, serbët mbollën vdekje e shkatërrime. Vetëm në dy muajt e parë të luftës, në tetor-nëntor 1912, u vranë 25 000 shqiptarë. Vrasja e shqiptarëve ishte programuar zyrtarisht nga Beogradi, që kishte urdhëruar “të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në ato vise”. Qytete të tëra, si Prishtina, Vuçiterna, Ferizaj, Gjilani, Kumanova, Presheva, Prizreni, Peja etj., iu nënshtruan shkatërrimeve. Fshatrat përreth këtyre qyteteve u bënë shkrumb e hi, ndërsa banorët e tyre, pa kursyer as gratë, pleqtë e fëmijët, u vranë ose u dogjën të gjallë, në zjarrin e shtëpive të tyre. Ushtria malazeze plaçkiti Gjakovën dhe dogji pazarin e saj. Sikurse pohonte sekretari i N. Pashiçit, në rrugën midis Prizrenit dhe Pejës kishte vetëm fshatra të djegura, ndërsa banorët e tyre ishin masakruar. Në Pejë vriteshin çdo ditë 25 shqiptarë. Pasi shtypën qëndresën e 2 000 lumjanëve, serbët, në tetor 1912, masakruan popullsinë e Lumës, 700 veta, duke përfshirë pleqtë, gratë, fëmijët e madje edhe ata të sapo lindur që u therrën ose u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, dogjën e rrafshuan me tokën thuajse të gjitha fshatrat e Lumës. Fshati Nishor, në veriperëndim të Prizrenit u rënua nga goditjet e artilerisë, ndërsa popullsia u masakrua, u vranë gjithë burrat. Bashkëkohësit shkruanin se në fshatra të tëra të Kosovës nuk mbeti i gjallë asnjë njeri. Në territorin midis Kumanovës e Shkupit, sipas njoftimeve të shtypit të kohës, u vranë 3 000 veta, nga të cilët 2 000 në rrethin e Shkupit. Terrorit të paparë iu nënshtrua edhe popullsia e qytetit të Shkupit. Çdo ditë oficerët serbë organizonin ekspedita në fshatrat rreth Shkupit për të terrorizuar dhe për të masakruar fshatarët. Mijëra njërëz të pambrojtur vinin nga Kumanova e nga Presheva, duke shpresuar të gjenin shpëtim në Shkup. Por edhe këtu i priste vdekja nga ushtarët serbë ose nga uria. Masakra të mëdha u bënë në Malin e Zi të Shkupit, ku u dogjën 29 fshatra shqiptare. Pas pushtimit të Ferizajt, u vranë këtu 1 200 veta.Gjatë kësaj fushate persekutimesh ndaj shqiptarëve u arrestuan në rrethet e Shkupit, në muajin nëntor, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha, Kosum Seferi dhe mjaft udhëheqës të tjerë të lëvizjes shqiptare, të cilët, meqë nuk pranuan të nënshkruanin deklaratat e besnikërisë ndaj Serbisë, u hodhën në burgjet e Beogradit, ku u mbajtën deri më 16 maj 1913.Pushtimi i Kosovës u shoqërua me shpërngulje në masë të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre amtare. Vetëm në periudhën e Luftës së Parë Ballkanike u shpërngulën nga vise të ndryshme të vilajetit të Kosovës rreth 150 000 shqiptarë.

No comments:

Post a Comment