amir

amir

Monday, October 12, 2009

Ruani Femijet nga Interneti.

E emërtuam këtë punim kësisoj duke pasur parasysh zhvillimin teknik dhe teknologjik të cilin po e përjeton njerëzia. Teknologji kjo e cila në shumicën e rasteve po shfrytëzohet në dëm të njerëzimit ani pse qëllimi i zbulimit të saj është që ti shërbej njerëzimit në formën më adekuate. Sa i përket fëmijëve s'ka dyshim se ata janë stolia dhe dhuntia më e çmuar që Allahu fuqiplotë i dhuroi njeriut në këtë botë. Mu për këtë Allahu xh.sh. në suren El Kehf fëmijët i ka përshkruar si stoli dhe ka thënë: "Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi dhe shpresa më e mirë tek Zoti yt".( El Kehf, 46) Nga ky ajet nënkuptohet se fëmijët janë stoli e kësaj bote, mirëpo ata nuk janë stolia e vetme e as e përjetshme e saj, sepse krahas fëmijëve, stoli tjetër është edhe pasuria dhe të mirat tjera të kësaj bote. Por me të përfunduar kjo botë këto stoli nuk kanë fare dobi, ajo çfarë vërtetë bënë dobi tek Allahu në botën tjetër është vepra e mirë e njeriut duke përfshirë këtu edhe fëmijën e mirë e të edukuar drejt sipas mësimeve islame, i cili lutet për prindërit e vet. Pikërisht në proporcion me thënien e Muhamedit a.s.: "Kur të vdes njeriu ndërpritet puna e tij (nuk i arrijnë shpërblimet) vetëm se në tri raste: (në rast se ka lënë pas vetës) sadaka të vazhdueshme, dituri që sjell dobi dhe fëmijë të mirë që lutet për të" (Sunen Et Termidhi, Hadithi 1297). Në anën tjetër, në suren Esh Shura Allahu fuqiplotë i ka përshkruar fëmijët si dhunti, duke thënë: "...Ai i dhuron vetëm femra atij që do; e atij që do vetëm meshkuj, ose u falë çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril). Ai është i Gjithëdijshëm, i Gjithëfuqishëm. (Esh Shura, 49-50). Prandaj, pasi që e kuptuam se fëmijët janë stoli e kësaj bote si dhe dhunti nga ana e Allahut fuqiplotë, duhet medoemos ta dimë se ne kemi përgjegjësi para Allahut për fëmijët tanë. Ata pra janë amanet që Allahu na i ka besuar neve, dhe si të tillë ne duhet të kemi kujdes ndaj tyre, ti edukojmë si duhet dhe ti mbrojmë nga çdo e keqe e rrezik që u kanoset. Allahu i madhërishëm na ka ngarkuar me përgjegjësi të shumta, prej tyre edhe përgjegjësia ndaj fëmijëve tanë. Pra mbrojtja e tyre nga të këqijat e kësaj bote por edhe të këqijat që rezultojnë dënimin në botën tjetër. Allahu i madhërishëm thotë: "O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej zjarrit (të Xhehenemit), lëndë djegëse të së cilit janë njerëzit dhe gurët". (Et Tahrim, 6). Çfarë është Interneti Para se të shpjegojmë se pse duhet ruajtur fëmijët nga interneti, është e udhës të dimë se çka është interneti. Fjala internet është një kombinim i dy fjalëve në gjuhën angleze; inter-(ndër) që është shkurtim i fjalës "international" që do të thotë "ndërkombëtar" dhe "net" që do të thotë "rrjet". Prandaj nëse fjalën internet e përkthejmë në gjuhën shqipe ajo do të vjen në kuptimin "rrjet ndërkombëtar". Ky "rrjet ndërkombëtar" përmes linjës telefonike mundëson që të shkëmbehen informata të ndryshme nga një kompjuter në tjetrin vetëm brenda disa sekondave, nga një skaj në skajin tjetër të botës madje duke ndërlidhur miliona njerëz. Andaj me të drejtë kompjuteri, i cili mundëson shkëmbimin e këtyre informatave, mund të quhet kuti e shpejtë postare ose kuti speciale postare. (Mexhdi Abduselam, El Internet (Interneti), Kajro, 2001). S'ka dyshim se ideja e internetit është e vjetër, sidoqoftë zbatimi i parë në praktikë i komunikimit përmes internetit u realizua aty kah vitet e gjashtëdhjeta ku komunikimi përmes internetit bëhej vetëm për qëllime ushtarake. Megjithatë, në vitet e 75-ta u realizua një rrjet tjetër për këmbimin e informacioneve në mes të universiteteve, shkencëtarëve dhe studiuesve, derisa me në fund në vitin 1994 u themelua rrjeti "Web"– (Pëlhurë apo rrjetë merimange), ku iu mundësua secilit të këtë qasje në të dhe u bë i njohur për të gjithë si Internet. ( op. i cit, fq 9). Pse duhet ti ruajmë fëmijët nga interneti Siç u kuptua nga jo që u tha më lartë interneti është një kuti informacionesh që mund të shkëmbehen në mbarë botën vetëm brenda disa sekondash. Me fjalë të tjera ai është një "qytet i hapur" që në vete përmban informacione, njohuri, pamje apo fotografi nga të gjitha llojet dhe për të gjithë "vizituesit" e tij, pa dallim moshe, gjinie apo niveli të shkollimit. Prandaj, krahas qindra mijëra faqeve dhe kanaleve të dobishme që përmban interneti, ai gjithashtu përmban qindra e mijëra faqe dhe kanale jo vetëm të dëmshme por edhe të rrezikshme për shfrytëzuesit e internetit. (op. i cit. fq 46). Andaj, meqë fëmijët janë shtresa më e ndjeshme e shoqërisë, të cilët për shkak të moshës së tyre akoma nuk janë në gjendje të komandojnë vetveten; ata më së lehti mund të bien viktimë e internetit, meshkuj apo femra qofshin. Prej rreziqeve më të mëdha që përmban interneti për fëmijët është pa dyshim mundësia e të shikuarit të pamjeve të ndyra e jo të moralshme, apo ajo që në fjalorin e shkencës njihet si pornografi. Kështu pra, psikologët bëjnë të ditur se fëmijët prej 3-5 vjeç duhet që vetëm 1-2 orë në ditë të kenë mundësi ta shohin televizionin, kurse sa i përket internetit ata preferojnë që fëmijët e kësaj moshe nuk duhet të kenë qasje fare në internet. Sa u përket fëmijëve parashkollor dhe atyre të shkollës fillore, nga mosha 6-10, shkencëtarët mendojnë se ata mund të kenë qasje në internet në shkollë apo në shtëpi, por vetëm nën mbikëqyrjen e prindit, mësuesit apo kujdestarit. (Cheryl Johnson-James, "Children, Internet & Pornography"- Documentary Presentation by Kids Safety of America. VCD International Islamic University). Sidoqoftë, këto janë vetëm supozimet e tyre ndërsa realiteti është pothuajse krejtësisht ndryshe. Sa për ilustrim po përmendim Dr. Steve Ambrose nga Instituti Ndërkombëtar i Fëmijëve në Los Anxhelos, i cili pohon se interneti është një burim i ri i pornografisë. Ai gjithashtu shton se teknologjitë e reja si: interneti, CD-të, DVD-të dhe Prezantimi përmes Videove ndihmojnë fëmijët për të rënë viktimë e pornografisë apo "Mashtruesve të Fëmijëve". (Steve Ambrose "Children, Internet & Pornography"- Child Porn, Molester and the Internet. Documentary Presentation by Kids Safety of America. VCD International Islamic University). Për shkak se kompjuteri tani konsiderohet si mjet i domosdoshëm bashkëkohor, shumë prindër mendojnë se ai u ndihmon shumë fëmijëve të tyre për ti bërë detyrat e shtëpisë, madje shumë prej tyre kyçin edhe internetin duke menduar se ky është edhe një ndihmës më shumë për fëmijët e tyre. Megjithatë, Dr. Steve pohon se fatkeqësisht 75% e fëmijëve futen në internet pa mbikëqyrjen e prindërve të tyre. Kështu kjo rezulton se mbi 75% e fëmijëve të moshës 8-15 vjeç kanë pasur rast të shohin pamje të shëmtuara pornografike së paku pa qëllim. Shikimi i pamjeve të tilla në shumicën e rasteve bëhet nga ana e meshkujve, të cilët për shkak të asaj që shohin bëhen shumë agresiv, janë të prirë ta përdorin dhunën për më të voglën arsye, por edhe të mundohen ti dhunojnë bashkëmoshataret e tyre, ngase në sytë e këtij lloji të fëmijëve femra nuk ka fare vlerë. (The Adolescent and Teen Years, Part I). Gjithashtu psikologja e njohur shkollore, Denise Zuckerman, deklaron se gjithçka varet nga ajo se çfarë kanë shikuar fëmijët, nëse kanë shikuar dhunë ata mundohen ta shprehin atë në forma të ndryshme duke e praktikuar atë ndaj moshatarëve të vet. Ndërsa nëse kanë shikuar pamje të turpshme seksuale, ata mundohen që atë ta praktikojnë ndaj moshatareve të tyre. As fëmijët parashkollor nuk janë në ndonjë gjendje më të mirë. Cheryl Johnson-Jones, edukatore e fëmijëve parashkollor, potencon se fëmijët e moshës 4-7 vjeçare, të cilët kanë pasur rast të shohin skena pornografike kanë shumë vështirësi të përqendrohen në mësime. Madje ata për fat të keq shpesh shprehin me gjeste atë që e kanë parë dhe mundohen ta praktikojnë me njeri tjetrin, gjini të kundërta, edhe pse janë mjaft të mitur për të kuptuar se çka do të thotë në të vërtetë një veprim i atillë. (Burimi i sipërcituar, pjesa I-rë dhe II-të.) Kjo sa i përket meshkujve, ndërsa një dukuri që duket më e theksuar tek femrat është abuzimi seksual që shpije deri të prostitucioni i organizuar. Abuzimet në vendet e industrializuara herë-herë mund të ndodhin edhe nga vet prindërit, por në shumicën e rasteve ato bëhen nga të ashtuquajturit "(Molesters) Mashtrues të Fëmijëve". Shkaktari kryesor i abuzimit të fëmijëve në shumicën e rasteve besohet të jetë interneti. Për shkak të rritjes së abuzimit seksual të fëmijëve në vitet e 90-ta, SHBA-të ishin të detyruara të vendosin ligje mbi mbrojtjen e fëmijëve. Ligje të ngjashme u vendosën edhe në mbarë Evropën, por madje edhe në Japoni e vende tjera. (John Philip Jenkins, "Child Abuse", Encyclopædia Britannica. Encyclopedia - Britannica Online Encyclopedia). Abuzimi i fëmijëve, veçanërisht vajzave, ndodhë për shkak të kontaktimit me persona të panjohur përmes internetit. Psikologja e sipërpërmendur Zuckerman sqaron se të miturat kanë shumë dëshirë të kontaktojnë me sa më shumë njerëz përmes internetit në mënyrë që të bëjnë sa më shumë shokë, po me qenë se ato shpesh bien në kontakt me mashtrues të fëmijëve, ato behën viktimë. (Denise Zuckerman, Child Porn, Molseters and the Internet. Documentary Presentation. VCD International Islamic University). Nga ana tjetër, togeri Thomas Sirkel, Shef i Byrosë për Krime Familjare në Kaliforni bënë të ditur se shpesh ndodhë që një vajzë 13 vjeçare të këtë në kontakt (online) deri në 8 persona për një minutë. Mashtruesit e fëmijëve së pari dëshirojnë ta njohin fëmijën përmes internetit, ta din se si mendon ajo, e pastaj depërtojnë në sekretet e saj derisa të marrin takim me të jashtë shtëpisë. Shumica e fëmijëve nuk u tregojnë prindërve të tyre, prandaj mu për këtë abuzimi i fëmijëve është problemi numër një në shoqërinë dhe kulturën tonë, përfundon Sirkel. (LT. Thomas Sirkel, Child Porn , Molseters and the Internet, Part III). Një dukuri tjetër, që prek të dy gjinitë njësoj dhe vjen si pasoj e internetit është edhe nervozizmi dhe stresi i tepruar për shkak të lojërave kompjuterike të pakontrolluara dhe të dhunshme. S'ka dyshim se në internet ka lojëra të dobishme të cilat zhvillojnë inteligjencën e fëmijës nëse ato shfrytëzohen me rregull dhe orar të caktuar. Mirëpo, nëse fëmija lihet pa kontroll në lojërat kompjuterike pa dyshim se ai do të humb inteligjencën e tij dhe do të fitoj agresivitet. Prodhuesit e lojërave, e veçanërisht pronarët e internet kafeve, e konsiderojnë të lejueshme çdo lloj metode vetëm që t'i tërheqin fëmijët drejt ekranit. Ka skena të ndryshme të dhunës që nuk i përshtaten moshës së fëmijëve e as vetëdijes së tyre. Fëmijët që shohin skena të ndryshme të dhunës në përgjithësi janë të egër dhe me temperament të shpejtë duke e konsideruar dhunën si diçka të zakonshme. Reaksionet e këtyre fëmijëve shihen shumë shpesh ngase ata tentojnë t'i godasin dhe shkelmojnë të tjerët qoftë edhe pas një mosmarrëveshje të lehtë. (Children and Violent Computer Games "The Fountain Magazine" –nr. 48, 2004, NY USA. F. 14). Të prekur nga skena të dhunshme shkatërruese, tek ta shfaqen probleme te shumta, si shqetësimi i tepruar, trazime gjatë gjumit dhe çrregullime të sjelljeve. Sa i përket fëmijëve parashkollor ata madje mund të pësojnë edhe më shenja parregullsie mentale. Ja disa raste që na shërbejnë si shembull: "në Amerikë një fëmijë tre vjeçar i cili shikonte filma të dhunshëm, zbatoi atë që kishte parë në TV duke shpuar dhe therur vëllanë e tij me thikë. Një fëmijë tjetër i cili mendoi të bëhej pokemon (një personazh i filmave vizatimor), u hodh nga kati i shtatë duke dashur të fluturoj. Një fëmijë tjetër në Francë duke mos fituar asnjë lojë kompjuterike u bë epileptik për shkak të momenteve të shpeshta të zemërimit si pasojë e lojërave të pa suksesshme. (op. i cit). Çfarë është më e keqja, lojëra të këtilla kanë efektin e vet negativ në vet personalitetin e fëmijës, madje ato janë të programuara për të mbjellë urrejtje të caktuar ndaj një grupi njerëzish. Andaj, meqë jetojmë në një kohë kur në botë po mbisundon mentaliteti se "i forti ka të drejtë-me vend", në shumicën e këtyre lojërave Islami paraqitet si "lugat" dhe muslimanët si terroristë që meritojnë të vriten. (op. i cit). Andaj kujdes të nderuar musliman që bijtë dhe bijat tona mos të kthehen një ditë madje edhe kundër vetë nesh, duke na akuzuar me atë çfarë shohin e dëgjojnë në ekranin e tyre të dirigjuar vetëm nga një skaj i botës që beson se "forca ka të drejtë". Një rrezik tjetër që vjen nga interneti dhe synon po ashtu të dy gjinitë është kidnapimi. Kjo ndodhë për shkak së fëmija nga mosdija ndodhë që personit me të cilin komunikon, pa e njohur fare, ti japë adresën e shtëpisë, shkollës apo nr e telefonit. Nganjëherë fëmija ndodhë që ti jap edhe numrin e kartës së xhirollogarisë së prindit, gjë që mund të shpie edhe deri të kidnapimi i prindit, nënës në veçanti. (LT. Thomas Sirkel, Child Porn, op. i cit). Gjithashtu, futja në kanalet apo faqet e internetit që mësojnë për gjera jo të ligjshme si: mënyra e ndërtimit të bombave të dorës, eksplozivit, mënyra e fshehjes së krimit të kryer, e deri të kanibalizmi, janë rreziqe shumë të mëdha që u kanosen fëmijëve të cilësdo gjini. (Mexhdi Abduselam, El Internet, op. i cit. f. 49). Pra, nëse kjo është gjendja e fëmijëve të këtyre vendeve që janë më të zhvilluara dhe fëmijët e tyre janë sigurisht me një vetëdije më të lartë se tanët, atëherë a thua vallë çfarë mund të jetë gjendja me fëmijët tanë që kalojnë orë të tëra në internet-kafe pa mbikëqyrjen e askujt. Andaj, për ti shpëtuar bijtë dhe bijat tona nga kjo kuti famëkeqe, duhet medoemos ta zbatojmë fjalën e Allahut: "O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej zjarrit (të Xhehenemit), lëndë djegëse të së cilit janë njerëzit dhe gurët". (Et Tahrim, 6). Përfundim Për ti ruajtur fëmijët nga interneti shkencëtarët sugjerojnë shumë gjëra, disa prej tyre po i cekim në vijim: Vendosja e kompjuterit në dhomën e ndejës ashtu që të mbikëqyret fëmija se çfarë shfleton në internet. Të mbikëqyret vet interneti duke bllokuar faqe dhe kanale të caktuara, të cilat konsiderohen si të dëmshme. Të bisedohet me fëmijën derisa të vetëdijesohet për rrezikun e internetit ashtu që mos ti japë askujt informacione të rëndësishme të tij apo familjes së tij. Sido që të jetë, disa vende të përparuara në aspektin teknologjik arrijnë të themelojnë programe që ti mbyllin me qindra faqe të dëmshme, ndërsa disa vende muslimane si Arabia Saudite, Siria apo Malajzia ua kushtëzojnë paraprakisht kompanive të internetit që ato mos të lejojnë faqe dhe kanale të caktuara, nëse duan që të fitojnë tenderin për të operuar në këto vende muslimane. Dhashtë Allahu i madhërishëm që edhe vendi ynë të arrijë ta aplikoj njërën prej këtyre dy metodave ashtu që fëmijët tanë të jenë të mbrojtur nga të këqijat në këtë botë dhe të shpëtuar në botën tjetër.
__________________
Ç'është me ju që All-llahut nuk i shprehni madhërinë që e meriton? (Nuh 13)

No comments:

Post a Comment